|
|
| Histori......... | |
| | Autori | Mesazh |
---|
Brunia Vip
Gjinia :
Horoskopi :
Postime : 14
Piket : 30
Reputacioni : 0
Ditlindja : 11/07/1990
Data e hyrjes : 25/07/2009
Age : 34 Location : Tirane Humor : BARCALETAT
| Titulli: Histori......... Tue Jul 28, 2009 9:41 pm | |
| Zbulohet letërkëmbimi i perandorit të Francës, Napoleon Bonaparti, me Ali Pashë Tepelenën. Gazeta “Tirana Observer” ka siguruar nga Arkivi i Shtetit, letrën e rrallë që gjeniu ushtarak ia ka dërguar strategut shqiptar, të cilin Papa i Romës e krahasonte me Skënderbeun. Madje Hygoi “Aliun e Janinës dhe Napoleonin e Francës”, i shikonte “bri njëri-tjetrit si tigri me luanin”.
Letra është përgjigjja që Bonaparti i ka dërguar Ali Pashë Tepelenës. “E mora letrën që më kishte nisur sekretari juaj”, shkruan Bonaparti më 9 korrik të vitit 1807. Një letër me pak radhë, por në të cilën flitet për miqësinë mes dy burrave të shtetit. Në këtë letër, Bonaparti e siguron udhëheqësin shqiptar për mbështetjen e tij. Ai, madje, thotë se do të urdhërojë gjeneralët francezë për t’ju bindur Ali Pashë Tepelenës. Kjo letër është shkruar 10 vjet, pasi ky e braktisi aleancën me francezët, pas fuqizimit të frontit ruso-turk, kur këta u bashkuan me anglezët, kundra Bonapartit. Por sërish, Ali Pasha ka arritur të fitojë miqësinë me një prej pushtuesve më të mëdhenj të botës. Për diplomacinë e tij, kanë shkruar edhe studiues britanikë. “Diplomacia e Ali Pashës trajtohet si një rrymë më vete në mësimin e diplomacisë”, citon Sabri Godo, librin e studiuesit anglez Begel “Ali Pasha dhe Britania e madhe”. Ky libër u rekomandohej si tekst shkollave të mesme të Anglisë. Marrëdhëniet mes Bonapartit dhe Ali Pashës Marrëdhëniet e dy figurave, sipas historianëve janë bërë më intensive gjatë kohës, kur qëllimi i tyre ishte i përbashkët. Bonapartit i interesonte dobësimi i Perandorisë Osmane, pasi donte të pushtonte Egjiptin, ndërsa Ali Pasha donte të fuqizonte akoma më shumë pashallëkun dhe të shkëputej nga vartësia e Perandorisë. Ishte viti 1797, kur Bonaparti pushton sundimet e shtetit venedikas, të cilat shtriheshin edhe në ishujt e bregdetin jonian. Në këtë kohë, kufijtë e Francës u shtrinë deri në kufijtë e Pashallëkut të Janinës. Bonaparti kishte bërë plan për të pushtuar Egjiptin, gjë që do i vinte kundër Perandorinë Osmane. Për të lehtësuar Ndërmarrjen Ushtarake në Egjipt, Franca përkrahte fuqizimin e pashallarëve të Rumelisë dhe prirjet e tyre vetëqeverisëse në dëm të pushtetit qendror të sulltanit. Kështu, komandanti francez i Korfuzit u urdhërua ta përkrahte Ali Pashë Tepelenën në forcimin e pushtetit të tij brenda pashallëkut dhe jashtë tij. “Përforcimi i këtij sundimtari shqiptar, theksonte Bonaparti, - ishte në interes të Republikës” thuhet në historinë e Shqipërisë. Në sajë të kësaj përkrahjeje, që e shfrytëzoi në dobi të synimeve të tij, Ali Pasha ndërmori në gusht të vitit 1797 një sulm të befasishëm kundër bregdetit shqiptar të Himarës. Para kësaj, me lejen e francezëve, kishte futur flotiljen e tij në Kanalin e Korfuzit. Si rrjedhim, ai shtiu në dorë pjesën kryesore të këtij bregdeti që nga Butrinti deri në Porto Palermo. Siç citon Godo në librin “Ali Pashë Tepelena”, shumë studiues thonë se pashai ishte një bashkudhëtar fatlum i Napolonit dhe se ai arriti atë famë për shkak të ndikimit të revolucionit francez. Godo e hedh poshtë këtë teori duke thënë se datat nuk përqasen. “Ai ishte pasha në Janinë, sundues në Shqipërinë e Jugut dhe në një pjesë të madhe të Greqisë, ndërkohë që Napoloni ishte një toger i artilerisë”, thotë Godo. Sipas tij, Napoloni dhe Aliu, patën pika takimi, por kurrsesi s’mund të thuhet se ky i dyti u rrit nën shkëlqimin e të parit. Ndërkohë, Aliu e braktisi aleancën me Bonapartin, gjatë kohës kur ky filloi fushatën kundër Egjiptit, sapo e pa që me bashkimin e aleancës ruso-osmane me Anglinë, ai do të humbiste. Ndikimi i Bonapartit në pashallëkun e Janinës Ali Pashë Tepelena pranoi të zbatohet në shtetin e tij legjislacioni frëng i barazimit, ku myslimanët të kishin të drejta të barabarta me të krishterët. Franca dërgoi tek Ali Pasha specialistë për organizimin e shtetit dhe të ushtrisë, e cila u zgjerua në kohë lufte deri në pesëdhjetëmijë ushtarë. Napoleoni në Janinë ngriti fonderi për derdhje topash të çdo kalibri, armë të ndryshme, si dhe punishte për prodhim baruti. Franca e pajisi Aliun me anije lufte, organizoi mjetet e komunikacionit dhe rendin me organizatorë të tij. Në pashallëkun e Janinës kudo u vendos qetësia. Nje muze për Ali Pashën Njeriu legjendar që i dha emër vendit të tij të lindjes, Ali Pashë Tepelena tashmë do të këtë një muze të vetin në Tepelenë. Në të do të mblidhen objekte, sende personale të kësaj figure të njohur historike, fotografi, dokumente, pjesë historie që krijojnë një imazh të plotë për Ali Pashën. I vetmi simbol që i kushtohet Ali Pashë Tepelenës është monumenti i vendosur në hyrje të qytetit, vepër kjo e skulptorit të njohur Muntaz Dhrami. Shumë turistë të huaj por edhe mjaft vizitorë vendas për të mësuar diçka rreth Ali Pashës duhet të marrin rrugën drejt Janinës. Në këtë qytet që ai e kishte kthyer në vilajet të tij ngrihet i vetmi muze ku mund të gjesh shumë të dhëna nga jeta, aktiviteti tij, si dhe mjaft veshje e sende të përdoruara nga Ali Pashë Tepelena. Idenë për të ngritur muzeun historike me këtë mision e ka marrë kryetari i Bashkisë së Tepelenës, Xhafer Ruçi. “Ka ardhur koha që Tepelena të ketë një muze që duhet të vendoset brenda ambienteve të kalasë. Do të ishte në nderin tonë por edhe të gjithë krahinës që edhe këtu në vendlindjen dhe kalanë që ai kishte më përzemër të mund të lartësohej figura e Aliut”, është shprehur Ruçi. Teksti i letrës (përkthimi) Perandorit Ali Pashës Tilsit, 9 korrik 1807 E mora letrën, që më kishte nisur sekretari juaj. Përmbajtjen e kuptova. U binda për miqësinë tuaj, ju kam dhënë prova të veçanta të dashamirësisë sime, prandaj dua që ju të ndieni edhe efektin. Do të urdhëroj gjeneralët e mi që të bien dakord me ju. Paqja është vendosur mes meje dhe perandorit të Rusisë, duke përfshirë këtu edhe Portën e Lartë. Do të pranoja gjithnjë me kënaqësi gjithçka që do të më vinte nga ana juaj. | |
| | | Brunia Vip
Gjinia :
Horoskopi :
Postime : 14
Piket : 30
Reputacioni : 0
Ditlindja : 11/07/1990
Data e hyrjes : 25/07/2009
Age : 34 Location : Tirane Humor : BARCALETAT
| Titulli: shqiponja Tue Jul 28, 2009 9:42 pm | |
| Pukëvil: 60-100 anije tregtare nga Durrësi e Vlora eksportonin për Francën dhe Spanjën Grurë nga Vlora për popullin e uritur të Parisit Lajmi nuk ka asgjë të bujshme. Jean Claude Faveyrial, i pari dijetar që ka shkruar “Historinë e Shqipërisë” në shekullin XIX, në morinë e fakteve dhe të dhënave konkrete që e bëjnë veprën e tij një thesar më vete të shkencës albanologjike, parashtron me shumë qartësi e thjeshtësi një të vërtetë historike : “Më 1741 - shkruan Faveyral - Z. Boulle, konsull i Francës në Avlonë (Vlorë), nisi nga ky port një sasi të madhe gruri që ndihmoi në lehtësimin e urisë në Parisin e mbërthyer nga skamja”. Nga Fotaq Andrea Një fakt i tillë, i shkëputur nga çdo kontekst dhe kuadër historik, jashtë rrethanave kohore dhe lidhjeve të hershme franko-shqiptare, do të përbënte ndoshta një kuriozitet më vete, apo një rast të izoluar, dhe asgjë më shumë. Mirëpo, nuk ndodh aspak kështu, po të mbahet parasysh historiku i këtyre marrëdhënieve me zanafillë tepër të largët, të pasur në ngjarje të mëdha, të cilat kanë lënë vulën e tyre në historinë e të dy vendeve, që nga “Këngët e famshme të Rolandit” apo eposit francez të kreshnikëve, që nga Topiajt, Balshajt, Buajt e Bastat gjer tek marrëdhëniet e Ali Pashë Tepelenës me Napoleon Bonapartin, tek miqësia e Apolinerit me Faik Konicën, tek angazhimi i René Pinonit, Justin Godardit, Nobelistit D’Estournelles de Constant dhe dhjetra figurave të shquara të popullit francez për të dalë në mbrojtje të etnisë dhe çështjes shqiptare në momente kyç të historisë sonë. Me të drejtë studiuesi i mirënjohur Alain Ducellier, në veprën e tij “Shqipëria midis Bizantit dhe Venedikut në shekujt X-XV” nxjerr në pah një element thelbësor që e ka vendosur që herët vendin tonë në qendër të interesit të botës bizantine dhe Evropës. “Shqipëria mesjetare, shkruan ai, nuk është një vend i varfër (sic) : përkundrazi, janë avantazhet e saj që nxisin lakmitë e huaja. Falë rolit të saj si udhëkryq tokësor e detar, ajo është, duke filluar nga shekulli X, një treg në të cilin blerësit italianë mund të gjejnë më afër se në vetë vendin e tyre prodhimet tradicionale të Orientit, dhe ëndrra e normanëve, sikurse e angjevinëve, në vitet 1081-1280, është të bëhen zotër të këtij aksi tregtar themelor”. Pikërisht këtu, në Mesjetën e hershme, zë fill historiku i këtyre marrëdhënieve, me lëvizjen e normanëve drejt Mesdheut dhe Shqipërisë, e cila shfaqej në atë kohë, sikurse thotë studiuesi tjetër francez Jean Beraud Villars “një vend më evropian nga sot, më i populluar dhe më i pasur”. Kësisoj, lëvizja e anijeve tregtare me drithë nga Vlora drejt porteve franceze në mesin e shekullit XVIII duhet parë qoftë në kuadrin e gjerë historik të marrëdhënieve midis dy vendeve, qoftë edhe në aspektin konkret të tyre, mbi bazën e dokumentacionit të kohës dhe studimeve të autorëve të ndryshëm. Historiku i kryeqytetit francez, i këtij metropoli të fuqishëm evropian e botëror që ka luajtur rol madhor në historinë e Francës, Evropës dhe të njerëzimit, përmban gjurmë të shumta vitesh urie, skamjeje dhe epidemish që kanë goditur rëndë banorët e tij, si rezultat i kushteve klimatike të tejskajshme, dimra tepër të ftohtë apo verë tepër të nxehta, reshje përmbytëse, shkatërrime të lashtash, luftëra, rrënime, rrethime e revolucione, shoqëruar të gjitha këto me vdekshmëri në shifra të larta. Shumë herë Parisi është kërcënuar nga uria, aq sa më 1795, Komuna do të urdhëronte mbjelljen me patate të Kopshtit të famshëm të Tuilërive, mu në kërthizë të kryeqytetit francez. Janë të njohura skenat e mjerimit parisian nën penën e Viktor Hygoit me shokë, personazhet e tij që detyrohen të vjedhin një copë bukë, të thahen në këmbë nga të pangrënët e sëmundjet, gjer edhe te Gishtoja popullor i folklorit francez, që braktiset në mes të pyllit së bashku me të vëllezërit, nga vetë prindërit e tyre, ngaqë s’kishin me se t’i ushqenin. Një skamje e tillë e detyronte vetë mbretin Luigji XVI të shpërndante me dorën e tij ndihma për të uriturit. Këtë uri - që do të godiste Parisin edhe në vitet 1740-1741 -, ka parasysh murgu historian Faveyrial tek përmend grurin e Vlorës. Studjuesi Emmanuel le Roy Ladurie, duke u ndalur konkretisht në skamjen e tmerrshme të këtyre viteve, paraqet si shkak kryesor të ftohtin e madh që shoqëroi katër stinë, tre prej të cilave i cilëson “me reshje hiper të lartë”. Këtu ai sheh zanafillën e shprehjes franceze “Je m’en fous comme l’an 40” (as që e çaj kokën si në vitin 40”), që do të thotë se jeta e njeriut s’ka kurrfarë vlere sikurse ndodhi në ato vite. Kuptohet në këtë rast që dramaciteti i kësaj urie - në kufijtë e tragjikes, që i ka detyruar njerëzit të hanin deri edhe kufoma -, e rrit edhe më shumë vlerën e anijeve me grurë shqiptar nisur drejt porteve franceze. Le të shohim Shqipërinë e asaj kohe, të gjysmës së dytë të shekullit XVIII. Hasim pesë qytete të lulëzuara : Janinën, Mecovën, Voskopojën, Vithkuqin dhe Shkodrën. Një nga shkaqet e këtij lulëzimi, siç thotë Faveyrial, është edhe vendosja e konsujve dhe nënkonsujve të Francës përgjatë bregdetit shqiptar, duke nxitur në këtë mënyrë tregtinë e jashtme, si një stimulues i fuqishëm për rritjen e prodhimit të brendshëm, gjë që i detyronte njerëzit t’i shtroheshin punës artizanale e bujqësisë dhe t’i largoheshin luftës, konflikteve dhe anarkisë pafund. Në fillim të shekullit të Iluminizmit të ndritur francez, eksportimi nga Durrëzi për në Francë llogaritej në 3000 kuintalë dyll, 15000 kuintalë lesh dhe 60 ngarkesa anijesh me drithë. Vite më pas, Pukëvil, konsulli francez në Janinë do të pohonte se “me gjithë ndalimet e Portës së Lartë, eksportoheshin nga Durrësi e Vlora me grurë, thekër, tërshërë e mel gjashtëdhjetë deri në njëqind anije tregtare, të destinuara një pjesë për Francën, një pjesë tjetër për Spanjën”. Dhe Pukëvil nuk mungon të japë shifra konkrete : në Janinë, tregtarët francezë blinin 6000 kuintalë dyll, 3000-4000 lëkurë bualli, 2000 kuintalë pambuk, etj. Në Mecovë, po këta tregtarë francezë nxitën krijimin e një depoje shumë të madhe, duke këmbëngulur që tregtia të bëhej vetëm me ta dhe jo me Mesinën, Ankonën, Raguzën apo Triesten. Në Arkivin e Shtetit në Tiranë, ndodhet një studim mjaft interesant i Valeri T. Papahaxhit “Voskopojarët dhe tregtia e tyre me Venedikun, etj. gjatë shekullit XVIII”. Duke u mbështetur në dokumentacionin e kohës, vjelë në Arkivat e Ministrisë së Jashtme Franceze dhe në Arkivat shtetërore të Venedikut, autori vë në dukje se në fillim të viteve 1700, në Vllahi, Shkodër, Elbasan, Voskopojë, Sjatistë, Janinë e Selanik ndodhen mbi njëqind tregtarë, shumica të krishterë, të cilët ngarkojnë çdo vit lëkurë, mëndafshe e drithë. Anijet e transportit janë përgjithësisht franceze, holandeze, angleze dhe raguziane. Autori nuk mungon të citojë korrespondencë letrash midis konsujve dhe përfaqësuesve tregtarë, për zgjidhjen e problemeve konkrete dhe rritjen e besueshmërisë në lidhjet tregtare. Po ashtu, ai mbështetet edhe në të dhënat interesante të konsullit francez Pukëvil për të theksuar lulëzimin ekonomik të Voskopojës dhe lidhjet e saj të fuqishme me Venedikun, e më pas me Vjenën, Hungarinë dhe Gjermaninë. Për të njëjtën periudhë, po aq interes paraqet edhe një kapitull i tërë i Grasset de Saint Sauveur në librin e tij “Udhëtim historik, letrar e piktoresk në Levant”, botuar në Paris më 1799. Autori, pasi bën historikun e marrëdhënieve tregtare midis dy vendeve dhe jep një tablo të qartë politiko-shoqërore kryesisht në jug të Shqipërisë, parashtron mendime për rrugët e zgjerimit të tregtisë nëpërmjet Prevezës, dhe e sheh këtë si një depozitë të fuqishme mallrash të provincave të Turqisë evropiane. Vërtet ai i njeh këtu rolin kryesor Venedikut, në tregti sikurse në politikë, por nuk e përjashton edhe rolin e Francës, veçanërisht të krahinave jugore të saj, në veprimtaritë komerciale detare me portet e Levantit, shtrirjen e këtyre marrëdhënieve deri në More e Rumeli, që arrijnë t’i sigurojnë Marsejës “suksese të shkëlqyera në tratativat e saj”, sikurse shprehet autori. Një tjetër studiues, Auguste Dozon, konsull nderi i Francës në Janinë, që ka trajtuar në mjaft shkrime çështje të historisë, gjuhës dhe etnografisë shqiptare, në një “Shënim statistikor e tregtar” thekson se në shekullin XVIII dhe gjatë epokës veneciane, “tregtia e Prevezës me Francën paraqitej në një nivel të kënaqshëm”, porse nuk do të ndodhte kësisoj në shekullin XIX, kur dy të tretat e eksporteve dhe importeve shqiptare do të bëheshin nëpërmjet Triestes, dhe vendin e parë në marrëdhëniet tregtare do ta zinte Austria. Christian Gut, Profesor Nderi në Ecole Pratique des Hautes Etudes të Parisit, në një “Inventar” të tij për “Korrespondencën e konsujve të Francës atashuar në Durazzo (Durrës) në vitet 1699-1726” vë në dukje se kjo korrespondencë kishte në thelb një karakter tregtar, veçse, në mjaft raste, ajo i tejkalon çështjet ekonomike dhe paraqet të dhëna të çmuara për zakonet e vendit, institucionet vepruese, revoltat dhe rolin e fesë. Duke iu drejtuar me letra ministrave të tyre, që nuk kishin njohuri të thella në çështjet e Orientit, konsujt francezë jepnin informacione nga më interesantet për ta paraqitur gjendjen sa më realisht e konkretisht, gjë që në mjaft raste i tejkalonte në saktësi edhe vetë burimet zyrtare turke. Tregtia e qytetit të Durrësit në fundin e shekullit XVII dhe fillimin e shekullit XVIII karakterizohet mbi të gjitha nga larmia e saj, si për eksportet, ashtu dhe importet. Por rolin kryesor gjatë kësaj periudhe do ta luanin në këtë mes eksportet e drithit shqiptar. Nuk do të mbeteshin pas, për çudi, as pëlhurat apo cohët e leshta, që jo vetëm importoheshin, pôr edhe eksportoheshin. Ndonëse shpesh herë konsujt francezë qaheshin për vështirësitë e qarkullimit të mallrave, përsëri, në dokumentacionin e tyre, bie në sy që portet shqiptare vizitoheshin përherë e më shumë nga anijet franceze, sidomos nga anijet e Provansës që mbanin lidhje të rregullta me vendin e tyre, Durrësin dhe Italinë. Domosdo, interesi këtu duhej të ishte shumë i madh nga të dy palët, përderisa në mjaft raste Venediku ndërhynte për të prishur punë në këto lidhje tregtare, nisur jo thjesht nga cmira, por ngaqë vihej në lojë e në pikëpyetje vetë interesi i tij. E në këto raste, Venediku i intrigave do dinte të thurte njëmijë e një plane e të kurdiste administratën turke për “t’ua mbledhur rripat” pashallarëve shqiptarë, duke i kundërvënë njërin ndaj tjetrit, apo duke shkaktuar masakra e hedhur në veprim piratët e Ulqinit a të Sinesë. E megjithatë, konsujt dhe tregtarët francezë, ndeshur drejtpërdrejt me vështirësitë e terrenit, me mentalitetet krahinore retrograde, me kundërveprimin e administratës turke dhe politikën dredharake të Republikës së Shën Markut do bënin me përkushtim, deri në fund, punën e tyre, do ndihmonin me të gjitha fuqitë vëndin e tyre. I tillë është rasti i nënkonsullit të Francës në Shqipëri J.B.Lasalle në vitet 1784-1792, një “gjeni tepër aktiv dhe sipërmarrës i zoti” siç e cilëson André Grasset de Saint Sauveur, që diti me mjeshtëri të punojë në pashalikun e Janinës për interesat e Marinës franceze. Për vite me radhë, ai drejtoi me sukses sipërmarrjen e furnizimit të lëndës së drurit nga trevat shqiptare për ndërtimin e anijeve franceze, sidomos fregatave. Në fakt, kishte vite që marrëdhëniet tregtare të Francës me Shqipërinë ishin përqendruar edhe në prerjen e drurit të pyjeve shqiptare destinuar posaçërisht për ndërtimin e anijeve të rënda tregtare e ushtarake të Tulonit, të cilësuara si anije të rangut të parë të arsenalit lundrues. Druri i prerë e i kuadratuar nisej nga Durrësi në sasi të mëdha, aq sa kur filluan të shteronin rezervat e pyjeve pranë bregdetit shqiptar, u fillua prerja në thellësi të vendit, por kjo e bënte transportin e lëndës drusore të vështirë e me kosto të lartë për mungesë të rrugëve të komunikimit. Lasalle, i paepur me vështirësitë dhe intrigat e tregtarëve grekë, të cilët përpiqeshin të dërgonin drurin e prerë në Maltë e Napoli, arriti të lidhet fort me Pashain e Janinës, “që dinte të vlerësonte njerëzit me talent”. Ai i fitoi zemrën pashait, madje përfitoi dhe nga mbështetja e tij financiare për krijimin e një “monopoli” drusor. Përfitimet ishin të mëdha për Lasalin, Pashain dhe Francën, aq sa në gusht 1792, Lasalle do të vritej nga njeri i paguar (nga Venediku) me dy të shtëna pistolete në rrugët e Prevezës, mu pranë shtëpisë. Është e njohur se shekulli XVIII solli ndryshime të dukshme në raportin e forcave ekonomike, shoqërore e politike në Shqipëri, që çuan në lindjen e pashallëqeve të mëdha shqiptare dhe në një fazë të re zhvillimi të vendit. Dhe rol me peshë këtu luajti vetë ekonomia e mallrave, qarkullimi i tyre si brenda vendit, ashtu edhe jashtë kufijve të tij. Historiografia shqiptare njeh në mesin e shekullit XVIII një hop cilësor në zhvillimin e qyteteve shqiptare, të shndërruara, siç e vumë re, në tregje të rëndësishme mallrash bujqësore e blegtorale, gjë që detyrimisht u shoqërua edhe me një zhvillim më të madh ekonomik e kulturor të vendit në krahasim me shekujt e mëparshëm. I gjithë ky shndërrim në kah pozitiv do të mbështetej në dy boshte kryesore tregtie ndërkrahinore e ndërzonale, njëri bosht vertikal, me skajet Shkodër – Janinë, dhe tjetri bosht horizontal, me skajet Durrësin + Vlorë – Voskopojë + Vithkuq. Rishfaqen në këtë mënyrë, si në periudhën e Skënderbeut, akset vertikale dhe horizontale të domosdoshme për bashkimin ekonomik e politik të vendit, por mbi të gjitha nis të lulëzojë shtresa e re shoqërore në qytete, borgjezia tregtare shqiptare. Por prapë, administrata turke, edhe pse e plogët dhe e rëndë, do të tregohej e aftë për të penguar tërë këtë zhvillim, do të ashpërsonte dhunën dhe do të shfrytëzonte me mjeshtëri, dredhi e egërsi grindjet e vijueshme të parisë shqiptare në përçarje e anarki. Dhe është pikërisht kjo përçarje, ushqyer nga tarafe e frymë bajraktariste, dhe njëmijë vese që pasojnë, burimi i negatives, që do të frenonte zhvillimin e vendit apo do ta vinte progresin, përherë të vonuar, nën hapa breshke. “Viktimë e fqinjëve të vet, e fuqive të mëdha, e historisë, Shqipëria është, thotë Gilbert Gardes, edhe më shumë viktimë e vetvetes.” Historikisht, në të gjitha kohërat, shkaku kryesor i dështimeve dhe prapambetjes, i shpërdorimit të potencialeve njerëzore e materiale ka qenë paria dhe klasa politike shqiptare, me mentalitet të theksuar tribal, konfliktual, grindës, sundues e përçarës. Pas periudhash të herë-hershme lulëzimi, do niste kështu të humbiste shkëlqimin e vet, deri në venitje, edhe shprehja e bukur franceze “Fier comme un Albanais - Krenar si shqiptar”, vetë sinteza e shekujve dhe e Evropës për figurën fisnike të shqiptarit. | |
| | | Brunia Vip
Gjinia :
Horoskopi :
Postime : 14
Piket : 30
Reputacioni : 0
Ditlindja : 11/07/1990
Data e hyrjes : 25/07/2009
Age : 34 Location : Tirane Humor : BARCALETAT
| Titulli: Re: Histori......... Tue Jul 28, 2009 9:42 pm | |
| Gjithcka filloi me nje vrasje. Dhe te tilla u bene shume me pas, per te shtene ne dore kryeqytetin e ardhshem te Shqiperise. Nje shekull hakmarrje mes Bargjineve dhe Toptaneve dhe si keta te fundit shtine ne dore Tiranen. Zefina Hasani Tirana eshte e ngritur mbi nje krim. Ose mbi disa te tille sebashku. Se paku keshtu pretendojne legjendat dhe deshmon historia. Nje histori qe nis ne vitin 1614, pikerisht atehere kur, Sulejman Pashe Bargjini, monumentin e te cilit sot e sheh kushdo qe kalon ne kryqezimin prane "Partizanit te Panjohur" vendosi te ngreje nje xhami, nje hamam, nje han dhe nje furre.
Por, tekat e ketij njeriu qe njihet sot si themeluesi i kryeqytetit tone, bene qe endrra e tij te lindte se bashku me nje konflikt. Sepse toka te ciles i kish vene syrin Sulejman Pasha, pikerisht ajo rreth te ciles shtrihet sot shtatorja e tij, kishte edhe nje pronar. Ai cope pyll zoterohej nga njefare Selman Beu, cili ashtu si ne legjendat akoma dhe me te lashta, i prishte naten muret qe Bargjini ngrinte diten. E gjithe kjo zenke perfundoi ne gjyq. E duke qene se kishte me shume pushtet, themeluesi i kryeqytetit te sotem e hodhi ne gjyq rivalin e tij. Legjenda thote se jo vetem qe i mori tokat por arriti qe gjyqi i larte i Stambollit t'i priste edhe koken.
Keshtu Sulejman Pasha vuri dore mbi pronen e deshiruar. Por pasardhesit e tij nuk do ta gezonin aq lehte frytin e ketij krimi. A thua se gjaku i Selman Beut do te ishte si nje mallkim per gjithe trashegimtaret e Sulejman Bargjinit, qe e ngriti qytetin mbi token e marre pabesisht.
Qe nga i pari, Ibrahim Bej Bargjini e deri tek ai i fundit Haxhi
Etehem Beu (pasardhesi nga vija femerore e Bargjinolleve) do t'u duhej te luftonin shpesh qe te benin te tyren Tiranen.
Rivalet me te fuqishem ishin Toptanet e Krujes. Ne vitet '60 te shek.XVIII te pese vellezerit toptani kishin funksione te larta ne administraten feudale te kohes jo vetem ne Kruje por edhe ne Tirane, Ishem, Durres e madje edhe ne Stamboll. Kishin nen zoterimin e tyre nje varg cifligjesh ne Fushe-Kruje e ne Breg- Mat dhe ne afersi te Durresit. Ishin sipermarres te caktuar nga Stambolli te taksave shteterore, ne krahina te ndryshme te Shqiperise dhe kjo u kishte dhene mundesira te medha te mbanin rreth vetes forca te medha te armatosura dhe te krijonin nje rreth miqsh me influence ne oborrin perandorak te Stambollit. Keshtuqe ata synonin te kishin nen kontrollin e tyre edhe Kavajen e Tiranen, dy vende te pasura me prodhime bujqesore dhe te zhvilluar ne levizjen tregtare. Ndaj Bargjinet u bene tok me Allunet e Kavajes ne luften kunder ketij armiku te rrezikshem.
Nje lufte gati 70 vjecare u zhvillua mes Bargjinolleve dhe Toptaneve, deri ne vitin 1813, kur me ne fund keta te fundit, arriten ta kishin nen zoterimin e tyre kete qytet te shumedeshiruar. Studiuesi Kristo Frasheri sjell ne librin e tij "Historia e Tiranes", gjithe kete histori lufterash mes familjeve te medha, per Tiranen: duke ndaluar gjate ne momentet me kyce te kesaj lufte qe nga 1767 kur Toptanet moren goditjen e pare te rende ne Durres; apo dy vjet me pas kur Toptanet te egersuar me Bargjinet, leshuan kunder Tiranes bandat e tyre, te cilat palckisnin dhe vrisnin qytetaret e pambrojtur; apo ne 1788, kur pasardhesi i rradhes nga Bargjinollet, duke mos mundur te mbante Tiranen e rrethuar, u arratis e u strehua ne Durres...
Por interesante eshte se mes shume perleshjesh, e luftrash mes ketyre dy familjeve rivale, jane perdorur edhe shume dredhi.
Te dyja fiset ne luften per te sunduar Tiranen, ne momentin kur bisedat diplomatike, nuk do te pinin me uje, do te ngrinin pusite. Kurthe te denja per "Makbeth-in" e Shekspirit, apo per "Komisionin e festes" te Kadarese.
Te paret qe prene ne bese miqte, ne konakun e tyre, ishin Bargjinollet. Per te siguruar qetesine e Tiranes se tij, Ibrahim Bej Bargjini kishte vendosur te ekzekutonte kreret e Toptaneve, Tahir dhe Ismail Age Toptanin. Me luftrat e ashpra, kishte arritur ta merrte Tiranen nga kthetrat e tyre, pasi ishte lidhur me dy aleate te fuqishem me Bushatllinjte e Shkodres dhe Allunet e Kavajes, por pa eleminuar kreret, e dinte se Tirana do te ishte gjithmonen e rrezikuar nga sulmet e Toptaneve. Keshtuqe ne nje kohe kur sundimtaret e Krujes ndjeheshin me te dobet se kurre, Bargjinollet do te vepronin lehtesisht me dredhite e tyre. Dore te mire u dha dhe nje udhezim qe Toptaneve u erdhi nga Porta e Larte, nga Stambolli per pajtimin me Bargjinollet e Tiranes. Thuhet se pajtimi u arrit, ndonese i siperfaqshem. Te dyja palet ishin te interesuara. Per Toptanet ishte nje mareveshje e imponuar nga rrethanat ne te cilat ndodheshin, kurse per Bargjinollet nje dredhi e llogaritur me se miri. Pajtimi ishte parathenia e nje kurthi qe do te organizohej ne Tirane, me te vetmin qellim: zhdukjen fizike te pinjolleve me te fuqishem te familjes se Toptaneve. Ashtu sic rrefen dhe studiuesi Kristo Frasheri ne librin e tij "Historia e Tiranes" per kete kurth rrefehen variante te ndryshme, qe gjenden ne forme gojedhenash ne studime te autoreve te ndryshem. Por nisur nga te gjitha variantet, koha me e sakte kur mund te kete ndodhur ngjarja, rezulton te jete viti 1771. Ne nje dite shtatori te ketij viti Tahir Age Toptani dhe nipi i tij Ismaiil Age Toptani shkuan nga Kruja ne Tirane, ne shtepine e Ibrahim Bej Bargjinit, per te kryer deri ne fund pajtimin e per te nisur bisedimet per ceshtje te rendesishme. Toptanet sigurisht qe nuk do te kishin pranuar te hynin aq lehte ne deren e armikut me te betuar nese nuk do t'u kishte dale garant njeri prej personaliteve me te njohur te kohes ne Shkoder, Jusuf Age Parruca. E megjithate nuk eshte se paten shume besim. Shkuan ne deren e Bargjinolleve te shoqeruar nga 70 trima te armatosur. Por as garancia, e as keta 70 trima nuk i shpetuan dot dy pinjollet e zene ne kurth, ne konakun e Bargjinolleve. Ne dhomen e pritjes, ungj e nip kishin hyre te shoqeruar vetem me 17 trima, ndersa te tjeret qendruan jashte (rrefimet e ardhura deri ne kohet tona nuk e kane treguar me saktesi nese pjesa tjerer mbeti jashte shtepise apo jashte qytetit fare). Pas pershendetjeve te zakonshme, kur mysafiret ishin duke pire kafene, nje fare Mytro Beu, i derguar posacerisht ne Tirane nga sundimtari i Shkodres ne keto kohe Mehmet Pashe Bushatlliu, u tha miqve te dorezonin armet, sepse ishin te rrethuar. Dy agallaret Toptane si dhe trimat e tyre, qe ndodheshin ne dhome, i flaken filxhanet e kafese dhe u ngriten duke nxjerre koburet nga brezi. Arriten te vrisin kater ose pese prej Bargjinolleve. U perleshen pastaj trup me trup, por ne fund u mposhten. Dy Toptanet, ungj e nip dhe trimat e tyre u lidhen dhe te nesermen e asaj dite u varen brenda ne Tirane. Studiuesi Frasheri citon ne librin e tij nje kronike te Shkodres-"Te dy Toptanet, ungj e nip i vrane ne Tirane shume keq. I varen ne litar, njerin nga njera ane e tjetrin nga ana tjeter dhe qendruan te gjalle gjithe diten dhe vdiqen shume keq sa nuk mund te thuhet me goje".
Eleminimi i udheheqesve kryesore te Toptaneve te Krujes, ishte nje fitore e madhe per Bargjinollet, edhe pse gjithcka ndodhi pabesisht, duke i prere ne bese miqte ne deren e tyre. Ndodhi ne nje kohe kur edhe Stambolli nuk e kishte shume mendjen se cfare ndodhte mes fedualeve te Shqiperise dhe nuk kishte mundesi te nderhynte ushtarakisht ne keto provinca sepse ishte e perqendruar ne luften me Rusine. Keshtu qe Ibrahim Bej Bargjini jo vetem zhduku armiqte e tij me te rrezikshem, por arriti te vendose pushtetin e tij te plote dhe gati te pavarur nga Stambolli mbi qytetin e Tiranes. Pra e ktheu qytetin ne nje pashallek autonom.
Triumfi i Bargjinolleve me eleminimin e dy krereve me te fuqishem te Toptaneve i detyroi krutanet te terhiqeshin perkohesisht dhe te mbroheshin duke u mbyllur ne kalane e Krujes. Por kjo ishte nje taktike qe do t'u sherbente vetem per fare pak kohe. Ata nuk do te harronin per asnje cast hakmarrjen per turpin qe u kishin lene ne dere Bargjinollet e Tiranes. Pra edhe pas zhdukjes se dy krereve te ashtuquajtur shume te rrezikshem, Tirana nuk shpetoi nga sulmet e Toptaneve. Dhe nuk do te shpetonte madje as nga nje gjeme qe do te ishte po aq e rende sa ajo qe feudalet e Tiranes u kishin bere krutaneve ne ate dite shtatorit. Hakmarrja ndodhi plot 17 vjet me pas, kur ne krye te Bargjinolleve ishte nje tjeter pasardhes, Kahraman Beu, ndersa ne krye te krutaneve Mustafa Pashe Toptani. Dhe duket sikur historia ka rrjedhur po ashtu, si ne kohet e te pareve te tyre. Bargjinollet sapo e kishin marre serish Tiranen nga duart e Toptaneve, perseri fale ndihmes se Bushatllinjve: "Ndersa ushtrite shkodrane po renditeshin rreth kalase, Kahreman Bej Bargjinolli hyri ne Tirane pa lufte. Bargjinolli erdhi ne fuqi i mirepritur si i ati, nga qytetaret"-shkruan studiuesi Frasheri ne liber. Por ndryshe nga c'kishte ndodhur 17 vjet me pare, kete here Bargjinollet u mjaftuan vetem me marrjen e Tiranes dhe nuk kerkonin te prisnin serish koka udheheqesish, te Toptaneve. Ndaj nuk u shkuan nga pas Bushtallinjve, ndersa keta kerkonin te rrethonin Krujen. Ua kishin lene ne dore shkodraneve fatin e armiqve te tyre. Por brenda tri diteve e keqja u kthye nga ata. Largimi i menjehershem i Bushatllinjve nga kalaja e Krujes, per te mbrojtur kufijte veriore qe po rrezikoheshin nga nje sulm i befasishem i forcave austro-hungareze, do te thoshte se Bargjinollet duhet te viheshin ne gadishmeri per nje mesymje te re nga Toptanet. Por mesa duket keta te fundit kishin menduar se ishte pikerisht kjo koha me e favorshme per hakmarrjen e madhe. Ndersa Tirana priste shperthimin e sulmeve, te parit te Bargjinolleve, Kahreman Beut i erdhi krejt papritur nje ftese per pajtim nga i pari i feudaleve te Krujes, Mustafa Pashe Toptani. Keta te fundit ishin te bindur se ne nje situate te tille kur Shkodra nuk mund t'i ndihmonte dot, Bargjinollet do ta pranon me lehtesi kete ftese. Duke i bere serish miq, pa perdorur luften, do te mund ta hakmerreshin ashtu si duhej, me te njejten monedhe. Keshtu ne gushtin e 1788-es Mustafa Pashe Toptani erdhi vete i pari ne Tirane, per t'u pajtuar me rivalin e tij. Edhe kete here Toptanet u priten me madheshti si 17 vjet me pare, por me nje ndryshim te madh. Kete here pas shkelqimit dhe mikepritjes nuk fshiheshin duart e vraresve. Ndaj, pasi pajtimi u be dhe u shpall publikisht, Toptani u percoll me po aq nderime nga Bargjinollet e kenaqur, te cilet besuan se gjakerat ishin zbutur perfundimisht mes Krujes dhe Tiranes. Por vetem pak dite me pas provuan se c'ishte me te vertete hakmarrja dhe se Toptanet nuk mund te ishin kurre miqte e tyre.
Thuhet se Mustafa Pashe Toptani e ftoi vetem pak dite me pas, ne Kruje, mikun e tij te ri, Kahreman Bej Bargjinollin, sepse deshironte t'ia shperblente pritjen madheshtore qe i kishin bere ne Tirane. I pari i Bargjinolleve shkoi dhe u prit me nderime ne deren e Toptaneve dhe me duartokitje te medha nga qytetaret e Krujes. Por te nesermen e asaj dite, do te ishin po ata qytetare qe do te benin sehir jo me ardhjen e mysafireve te nderuar, por vrasjen e tyre. Dhe demi qe pesuan Bargjinollet me vrasjen e Kahreman Beut ishte me i madh se ai qe pesuan Toptanet ne shtatorin e 1771-shit. Atehere, pas vrasjes se Tahir dhe Ismail Ages, familja e Toptaneve kishte plot agallare e bejlere te afte per te vazhduar luftrat, kurse me vrasjen e Kahreman Beut, familja e Bargjinollit mbeti vetem me nje pasardhes, Ahmet Pashen qe nuk kishte djale, por vetem vajza. Dhe kjo do te thoshte se Toptanet mund te shpresonin qe kete here Tirana te mbetej perfundimisht ne duart e tyre. Por nuk ndodhi as kete here keshtu sepse Bushatllinjte qe ne keto kohe kishin fituar perkrahjen e Stambollit, do t'ia kthenin Tiranen, te fundit te Bargjinolleve, Ahmet Pashes.
Qe te arrinin ne diten e madhe, kur vertet Tirana do te mbetej perfundimisht nen sundimin e tyre, Toptaneve do t'u duhej te luanin edhe me nje marifet tjeter: krushqine me Bargjinollet. Duket me i pranueshem si marifet per te marre Tiranen, por duke menduar dy masakrat qe ndodhen brenda nje harku kohor prej 17 vjetesh, krushqia e pare qe ndodhi mes Toptaneve dhe Bargjinolleve duket e papranueshme. Por ja qe te gjitha rrefenjat te thone se ka ndodhur. Kater vajzat e Ahmet Pashe Bargjinollit u martuan ne nje dite te vetme me kater djemte e Kapllan Pashe Toptanit (pasardhesin e Mustafa Pashes). Duke u ndjere ne keto kohe me te rrezikuar nga aleati i tyre i perhershem Shkodra, qe kerkonte te merrte pushtetin e Tiranes pas vdekjes se Bargjinit te fundit, Tiranasit vendosen te hynin ne bisedime me Toptanet e te benin krushqi me kusht qe vete Kapllan Pasha te zotohej se nuk do te vendosej ne Tirane, por do te vazhdonte te qendronte ne Kruje. Por hileja ketu qendronte. Toptani duke shkelur zotimin qe kishte bere u shperngul bashke me trimat e tij dhe u vendos ne Tiranen qe e lakmonte aq shume, duke deklaruar se do te rrinte si mysafir. Kur qytetaret e kuptuan qellimin e tij te vertete u perpoqen t'i debonin me dhune te paftuarit, por ishte shume vone. Kapllan Pasha kreu disa arrestime nga te cilat figura me e rendesishme e Tiranes pas vdekjes se Bargjinollit te fundit, Haxhi Etehem Beu (pasardhes nga vija femerore e Bargjinolleve) arriti te shpetoje, duke u arratisur nga Tirana. Por edhe perpjekjet e tij (pas rikthimit ne qytet), per te ruajtur Tiranen perfunduan me 1813-en. Disa gojedhena thone se kete here ishte Porta e Larte qe ia la ne duar Tiranen te fundit pasardhes te Toptaneve, si shperblim per pjesmarrjen aktive ne lufte, krah ushtrise perandorake, kunder Shkodres. Ndersa Haxhi Etehem Beun qe ishte ne fuqi ne kete kohe e shkarkoi nga detyra. Nje gojedhene tjeter na tregon se Haxhi Etehem Beu u pajtua me Toptanet me krushqi. Ne materialet e Muzeut Arkeologjik te Tiranes, ndodhet nje lapidar varri me kete mbishkrim "Rajhane, bija e Haxhi Etehem Beut e martuar me Sulejman Pashe Toptanin". Ne qoftese kjo ka qene bija e Haxhi Etehem Beut, atehere kjo martese provon ate qe thone gojedhenat: Toptani i fundit, nuk pati nevoje t'i ngreje kurth armikut ne konakun e tij, por hyri dhender ne ate konak, per ta marre fare lehte Tiranen qe kishin lakmuar per 70 vjet me rradhe gjithe paraardhesit e tij. | |
| | | Sponsored content
| Titulli: Re: Histori......... | |
| |
| | | | Histori......... | |
|
Similar topics | |
|
| Drejtat e ktij Forumit: | Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
| |
| |
| |
|