Brunia Vip
Gjinia :
Horoskopi :
Postime : 14
Piket : 30
Reputacioni : 0
Ditlindja : 11/07/1990
Data e hyrjes : 25/07/2009
Age : 34 Location : Tirane Humor : BARCALETAT
| Titulli: Shqiptarët, festë për njëvjetorin e Pavarësisë Tue Jul 28, 2009 9:45 pm | |
| bota uron Kosovën: Gëzuar!Në përvjetorin e parë të Pavarësisë, Presidenti i SHBA-së, Barack Obama, Presidenti i Konfederatës Zvicerane, Hans-Rudolf Merz, Mbretëresha Elizabet II dhe Sekretari i Jashtëm britanik, David Miliband, i kanë dërguar mesazhe urimi Presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu.
Presidenti amerikan, në letrën drejtuar Sejdiut, thotë se SHBA do të vazhdojnë ta mbështesin edhe më tej Kosovën. "Ndërsa populli i Kosovës punon drejt një ardhmërie të përbashkët, unë dua të theksoj që SHBA-të do të vazhdojnë të mbështesin një Kosovë multietnike, të pavarur dhe demokratike, në përpjekjet e saj që të zërë vendin e merituar si anëtare e plotë e bashkësisë së shteteve", thuhet në letrën e Obamës.
Edhe Presidenti i Konfederatës Zvicerane, Hans-Rudolf Merz, e ka uruar përmes një letre Presidentin e Republikës së Kosovës, ku ka uruar: "Është kënaqësi për mua t‘i përcjell Shkëlqesisë Suaj urimet tona më të përzemërta me rastin e përvjetorit të parë të Pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe t‘ju shpreh dëshirat më të sinqerta për mirëqenien tuaj personale si dhe prosperitetin e vendit dhe të gjithë qytetarëve tuaj".
Me rastin e njëvjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Mbretëresha Elizabeta II i dërgoi letër Presidentit të Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, me përshëndetjet e saj më të ngrohta, si dhe dëshirat më të mira për mirëqenien dhe lumturinë e popullit të Kosovës gjatë vitit në vijim. Edhe Sekretari i Jashtëm britanik, David Miliband, e përgëzoi Presidentin Sejdiu.
Njëvjetori i Pavarësisë së Kosovës është uruar edhe nga Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, i cili përmes një letre dërguar homologut të tij, Fatmir Sejdiu, ka shprehur urimet më të përzemërta për përvjetorin e parë të Kosovës së pavarur. "Kam kënaqësinë e madhe që, në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim personal, t‘ju uroj përzemërsisht Juve, dhe nëpërmjet jush, gjithë popullit të Kosovës, përvjetorin e parë të Ditës së Pavarësisë", ka qenë urimi i Presidentit Topi. Ndër të tjera, ai ka theksuar se gjatë këtij viti, Kosova dëshmoi bindshëm angazhimin për të ndërtuar një shtet sovran, të lirë dhe demokratik. Topi e ka siguruar Presidentin Sejdiu për mbështetjen maksimale dhe për ruajtjen e marrëdhënieve të shkëlqyera midis dy vendeve dhe në rrugën e përbashkët drejt së ardhmes evropiane dhe euroatlantike.
Thaçi: Viti i parë, i suksesshëm
Ndërkaq, në njëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës, Kryeministri Hashim Thaçi e ka konsideruar si të suksesshëm vitin e parë të vendit. Ai deklaroi me bindje të plotë se Kosova do të bëhet shumë shpejt, anëtare e NATO-s, Bashkimit Evropian dhe e Kombeve të Bashkuara, ndërkohë që ka shtuar se Kosova e pavarur do të njihet nga e gjithë bota. I pyetur për vendet që e kanë njohur deri tani Kosovën, Kryeministri u përgjigj se nuk janë të rëndësishëm numrat, por vlera që këto vende përfaqësojnë.
Kushtetutë, himn dhe flamur
Që nga shpallja e vendit, shtet i pavarur, demokratik dhe sovran më 17 Shkurt të vitit 2008, Kosova ka flamurin e tij, himnin kombëtar e, madje edhe Shërbimin e Inteligjencës. Pavarësia është njohur nga 54 shtete, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Francën, Britaninë e Madhe etj., ndërkohë që nuk është njohur nga Rusia apo Serbia.
Nderimi
Pulla postare me Pavarësinë
Në prag të ditës së madhe të shpalljes së Pavarësisë, Filatelia e Kosovës lançoi dy pulla postare me temën "Përvjetori i Pavarësisë". Këto pulla, që përmbajnë deklaratën e Pavarësisë dhe flamurin e Kosovës, u dedikohen të gjithë atyre që kontribuuan për çlirimin dhe shpalljen e pavarësisë. Ministri i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, Fatmir Limaj, tha se shpallja e pavarësisë është ndër ngjarjet më të rëndësishme për popullin shqiptar. Kjo është arritur falë përpjekjeve dhe sakrificave të shumë gjeneratave, prandaj me të drejtë kjo datë është ditë kremtimi dhe secili mundohet ta shënojë në mënyrën e tij, tha Limaj në ceremoninë e përurimit të këtyre pullave. Posta e Kosovës, pas 17 Shkurtit 2008, ka emetuar edhe pullën postare rreth Ditës së Pavarësisë, si dhe pullën postare për komandantin legjendar, Adem Jashari.
Programi
Si do të festohet Dita e Pavarësisë
Sipas programit për festimin e Ditës së Pavarësisë, të hartuar nga Qeveria, Kuvendi dhe Presidenca, sot, më 17 Shkurt, në orën 11:00, do të mbahet një mbledhje solemne e Kuvendit të Republikës. Me këtë rast do t‘i drejtohen Kuvendit dhe qytetarëve, Presidenti, Kryeministri, edhe Kryeparlamentari. Në mesditë do të jetë një tubim me nxënësit dhe për të gjithë qytetarët që është titulluar "Ecja në pavarësi".
Ndërkaq, në orën 18:00, do të shfaqet një koncert i Filarmonisë së Kosovës, nën përkujdesjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Në orën 21:00 do të organizohet një koncert madhështor në Prishtinë, por edhe në qytete tjera të Kosovës.
Në orën 22:00 është parashikuar ndezja e fishekzjarrëve, në kryeqytet, por edhe në të gjitha qytetet e Republikës së Kosovës. Ky organizim do të bëhet nën protokollin e shtetit dhe një komisioni ndërministror, të cilin e përbëjnë zëvendëskryeministrat Hajredin Kuçi dhe Ramë Manaj, ministrat Enver Hoxha, Valton Beqiri, Ahmet Shala. Për mbulimin e këtyre aktiviteteve, Qeveria e Kosovës ka ndarë nga buxheti, një shumë prej 150 mijë eurosh.
Mijëra qytetarë nga
Kukësi drejt Prishtinës
Mijëra njerëz kanë kaluar dje nëpër Kukës për të shkuar në Prishtinë e qytete të tjera të Kosovës, ku sot kremtohet me madhështi përvjetori i parë i krijimit të shtetit të ri.
Të parët që kanë shkelur në Kukës për një kafe dhe që më pas kanë udhëtuar drejt Prizrenit kanë qenë dy autobusë me njerëz nga Delvina. Pas tyre, dhjetëra e dhjetëra të tjerë nga të gjitha qytetet e Shqipërisë, të organizuar ose në mënyrë spontane kanë shkuar në Kosovë për të ndarë bashkë me qytetarët e Kosovës gëzimin e festës së pavarësisë. Në një nga autobusët e Sarandës të veshur me një flamur të madh me shqiponjë të zezë kishte edhe një grup të rinjsh gjimnazistë, të cilët thanë se po udhëtonin për herë të parë dhe ishin tepër të kënaqur që po e preknin Kosovën e lirë e të pavarur. Të tjerë treguan se edhe një vit më parë kishin udhëtuar në dimrin e ftohtë për të përjetuar shpalljen e mëvetësisë së Kosovës. Në qytetin e Kukësit nuk kishte ndonjë përgatitje të veçantë për këtë rast, por qindra banorë kanë vallëzuar për 30 minuta në sheshin e qytetit me pukjanët dhe të tjerët që kanë qëndruar për pak, para se të hyjnë në shtetin më të ri, që siç tha një grua nga Vlora, e ndjejnë si gjysmën e trupit dhe të shpirtit. Në fasadën e autobusit të Vlorës ishte një panoramë e madhe me fotografitë e Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit, në shenjë respekti dhe vetëdijeje për rolin e Kosovës në arritjen e pavarësisë së Shqipërisë më 1912. Të tjerë mbanin flamuj të Kosovës si dhe banderola me portretin e Adem Jasharit dhe fjalët: Bacë, u kry!
S.Dida
Shkodër
Atmosferë festive për
njëvjetorin e Kosovës-shtet
Njëvjetori i Pavarësisë së Kosovës ka vënë në lëvizje Bashkinë e Shkodrës, e cila për t‘u bashkuar me këtë festë të shqiptarëve në Kosovë është munduar të krijojë një pamje festive në rrugët kryesore të qytetit. Sipas drejtuesve të bashkisë, janë duke u vendosur flamuj të shtetit të Kosovës dhe flamuj kombëtarë në rrugët kryesore. Gjithashtu, pjesë e dekorit do të jenë dhe disa parulla që do vendosen në rrugë, ku i urohet popullit të Kosovës pavarësia e merituar dhe e fituar me aq sakrificë. Po sipas drejtuesve të bashkisë, ditën e nesërme, me rastin e një vjetorit të pavarësisë së Kosovës, banda muzikore e qytetit do të interpretojë tingujt e himnit të Kosovës dhe himnit të Shqipërisë në qendër të qytetit. Në axhendën e Bashkisë së Shkodrës për ditën e sotme janë parashikuar dhe disa aktivitete në shkolla. | |
|